Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 13:40

Shkup – Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë rëndësi të madhe edhe për të, por edhe për Aleancën. Përkundër tërë angazhimit, megjithatë, është fakt se anëtarësimi në NATO edhe më tej për Maqedoninë është “e ngrirë” për shkak të kontestit të pazgjidhur me emrin, thotë për radion Dojçe vele, Karl Lamers, kryetar i Asamblesë parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Bundestagut gjerman.

“Kushtet janë të qarta. Dëshirojmë që kontesti të zgjidhet para se Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s. Mbështetemi në përpjekjet dhe bisedimet të cilat i moderojnë KB”, thotë Lamers dhe plotëson se çelësi është në duart e dy vendeve, përkatësisht se Maqedonia dhe Greqia duhet vetë të kontribuojnë për zgjidhje përfundimtare të kontestit.

I pyetur nëse kontesti nuk zgjidhet deri në zgjerimin e ardhshëm, Maqedonia në afat të pacaktuar do të mbetet para dyerve të NATO-s, Lamers përgjigjet se nuk beson në diçka të tillë dhe vlerëson se është vështirë të përcaktohet korniza kohore dhe konkretisht të thuhet .

“Por, konsideroj se presioni po shtohet. Po rritet dëshira e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që ky vend të integrohet dhe të pranohet. Shpresoj se presioni ekzistues çon drejt asaj. Përmes Kombeve të Bashkuara, përmes Maqedonisë dhe Greqisë të gjendet rruga e vërtetë. Unë jam më tepër optimist, se sa pesimist”, komenton Lamers.

Në pyetjen nëse është etike dhe në frymën evropiane ftesa të kushtëzohet dhe dikujt t’i premtohet anëtarësimi nën kushtin për ta ndryshuar emrin, Lamers thotë se ka parakushte të cilat duhet të plotësohen dhe kanë të bëjnë me të gjitha shtetet të cilat dëshirojnë të bëhen pjesë e një institucioni ndërkombëtar apo organizate si BE-ja dhe NATO-ja.