Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 10:24

Prishtinë – Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër Xhevahire Vatocit, zyrtare e Prokurimit në Policinë e Kosovës, për veprën penale, Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit, nga neni 339, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të  Kodit Penal të Kosovës.

E pandehura Xhevahire Vatoci,  person zyrtar në Policinë e Kosovës, në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për ndërmarrjen private “HIB Petroll” SH.P.K. nga Ferizaj, në cilësinë e zyrtarit të zyrës së prokurimit dhe kryetare e komisionit për vlerësim, ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet zyrtare, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë, që si pasojë ka rezultuar me përfitimin kundërligjor për ndërmarrjen private “HIB Petroll”, në shumë prej 280.370,91 euro, shumë kjo me të cilën e ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka propozuar që e pandehura të shpallet fajtore për veprën e kryer penale dhe të dënohet sipas ligjit.

Portali ka raportuar më herët se Xhevahire Vatovci ishte arrestuar nga policia e EULEX-it edhe për rastin e blerjes së armëve për policinë e Kosovës nga një kompani gjermane, ku ishin shpërdoruar miliona euro nga buxheti i Policisë së Kosovës.  (LajmeShqip.com)