Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 09:21

Tiranë – Për herë të parë pranohet publikisht se Bamir Topi do të krijojë një parti të re menjëherë pas mbylljes së mandatit presidencial, duke mbledhur rreth figura të njohura të Partisë Demokratike.

Mes tyre do të jetë edhe ish-deputeti dhe ish-anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj. Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Biberaj nuk e fsheh për asnjë moment mbështetjen ndaj projektit të ri të Bamir Topit për krijimin e një partie të re. Për këtë ish anëtari i kryesisë së PD-së ka argumentat e tij bindëse. Konkretisht ai shprehet se “aktualisht nuk ka një PD” ndaj e quan imediate dhe të domosdoshme riformatimin e së djathtës.

Ish deputeti demokrat Aleksandër Biberaj zbardh edhe atë çfarë fshihet sipas tij pas përplasjes Topi-Topalli ndërsa deklaron se “këto sulme janë sulme të qarta politike, që bëhen për të ulur reputacionin e Presidentit si politikani më popullor dhe më i kuotuar në Shqipëri”. Por Biberaj shkon edhe më tej teksa thotë se partia e re e Bamir Topit do fitojë zgjedhjet parlamentare të 2013-ës.

“Natyrisht që kjo do të mund të arrihet nëpërmjet një punë gjigante shtëpi më shtëpi, derë më derë duke u takuar dhe respektuar cdo shqiptar”, thekson ai.

Biberaj shpreh kritika të forta ndaj qeverisë duke e bërë atë përgjegjëse për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Sipas tij “PD-ja është katandisur sot nga lidershipi i saj në një grup tepër të vogël interesi, në një grup miks pa identitet dhe moral politik apo qytetar, në një grup prej gjashtë ministrash të përjetshëm që kanë gjashtë vjet që punojnë vetëm për interesat e tyre dhe të klaneve të tyre, duke abuzuar me pushtetin në mënyrën më ekstreme të mundshme”. (Gazeta Shqiptare)