Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot në Vjenë kancelarin e Austrisë, Werner Faymann.
Zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëri të ditur se në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Austrisë, thellimin e këtyre marrëdhënieve, për investimet austriake në Kosovë dhe për perspektivën europiane të Kosovës.
Kryeministri Thaçi i shprehu kancelarit austriak, Faymann, mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Qeveria e Austrisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga periudha e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës dhe deri tani, në periudhën e integrimit dhe zhvillimit.
Në takim, kryeministri Thaçi prezantoi arritjet e institucioneve të Kosovës, përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit, vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë dhe angazhimet institucionale për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.
Kryeministri Thaçi ritheksoi ftesën për investitorët austriakë për të investuar në Republikën e Kosovës.
Në takimin e sotëm, Kryeministri Thaçi theksoi se dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë për institucionet e Kosovës është vlerë europiane, që do të ndikojë substancialisht në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, kancelari i Austrisë, Werner Faymann shprehu konsideratat më të larta për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të integrimit europian nga pala kosovare dhe vlerësoi se qasja pozitive dhe konstruktive e Kosovës, sa i përket dialogut teknik me Serbinë, tregon pjekurinë e lartë të institucioneve të Kosovës në raport me përmbushjen e axhendës evropiane të integrimit.
Monday, 24 October 2011 19:05