Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua sot me delegacionin e përbashkët të Komisionit të Venecies dhe ODIHR, i kryesuar nga Sekretari i Komisionit të Venecies, Thomas Markert.
Pasi falenderoi Komisionin e Venecies dhe ODIHR për mbështetjen e dhënë gjatë viteve të fundit në hartimin e ligjeve të rëndësishme të Kushtetutës, të çështjes së imuniteteve etj, kryetarja e Kuvendit theksoi nevojën e fillimit sa më parë nga puna për reformën zgjedhore.
“Që në fillim të këtij sesioni parlamentar, ftesa ime si kryetare e Kuvendit ka qenë e hapur për të nisur nga puna pa humbur kohë. 53 rekomandimet e ODIHR-it janë reforma zgjedhore. Maxhoranca është shprehur e gatshme, jo vetëm të nisë nga puna në një komision të përbashkët parlamentar, por edhe të japë votën e saj për propozimet e opozitës, të bazuara në rekomandimet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecies, pas verifikimit nga këto të fundit”, infomoi Topalli delegacionin e Komisionit të Venecies dhe të ODIHR.
Reforma zgjedhore, vijoi ajo, është gjithnjë në kalendarin e punës së Kuvendit dhe shpresoj që opozita t’i përgjigjet sa më parë ofertës për të ngritur Komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore.
Duke ndarë të njëjtin mendim me Topallin, sekretari i Komisionit të Venecies, Thomas Markert, tha se reforma zgjedhore është një proces parlamentar që duhet të bëhet përmes një komisioni parlamentar dhe puna për këtë reformë duhet të nisë sa më parë.
Kryeparlamentarja Topalli, duke falenderuar Komisionin e Venecies për opinionin lidhur me ligjin për imunitetet, theksoi se “jemi të gatshëm që sa më parë të votojmë ligjin “Për imunitetet’ dhe shpresojmë që opozita të japë votën e saj, bazuar në opinionin e dhenë nga Komisioni i Venecies.”
Monday, 24 October 2011 17:27