Tiranë – Kryeministri Berisha theksoi sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se maxhoranca është e gatshme të dëgjojë zërin e opozitës dhe forcave të tjera politike për reformën zgjedhore.
Duke iu referuar vizitës në Shqipëri të Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Stefanno Sanino, Berisha theksoi se “në kuadër të përpjekjeve të Komisionit Evropian për të kapërcyer situatën, e garantova se jemi të gatshëm të ulemi në komisionin e reformës zgjedhore. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë gjërësisht me OSBE-ODIHR dhe me Komisionin e Venecies. Të ulemi në një tryezë me opozitën në kushte pariteti të plotë”.
“Ne jemi të vendosur të dëgjojmë zërin e opozitës dhe të forcave të tjera politike. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me OSBE-ODIHR. Ne i kemi shqyrtuar seriozisht propozimet e opozitës”, tha Berisha.
Kryeministri tha se do të pranonte çdo amendament për reformën zgjedhore, të hartuar nga z. Rama, me kushtin që ai amendamentet t’i dërgojë në Komisionin e Venecies dhe ODIHR-it. “Rama le të hartojë të gjithë amendamentet dhe t’i dërgojë në Komisionin e Venecies dhe ODIHR-it. Ne do t’i kalojmë, sepse jam i sigurtë se Komisioni i Venecies dhe ODIHR do të vendosë standardin ndërkombëtar. Kjo është ajo që ne mund të ofrojmë”, deklaroi Berisha
“Edhe për rregulloren e Parlamentit jemi të gatshëm të fillojmë punën në bazën e rregullores së Parlamentit Evropian. Kemi një dokument bazë, që është rregullorja e PE, dhe s’kam asnjë kundërshtim që nen për nen ta modelojmë rregulloren e parlamentit shqiptar me rregulloren e PE-së”, tha Berisha.
Ai sugjeroi që sa më shpejt të hapim shtegun e këtyre reformave, që janë shumë të rëndësishme për vendin.
Ndërkohë, tha Kryeministri Berisha, “mësohet se z. Rama gjatë përpjekjeve tona për të promovuar reformat, paska qenë i mbyllur të shkruajë libër. Libri që në të vërtetë meriton titullin “Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, është një vaj për bashkinë e Tiranës”.
Sipas Berishës, Rama në mënyrën më interesante, për ta shndërruar në vaj, vë në epiqendër kurbanin, sakrificën, viktimën. “Libri hapet me epitafin “mbeçë, o shokë, mbeçë, tek dera e bashkisë mbeçë,. Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka bardhë e zia sepse me iku partia”, tha Berisha, duke ironizuar librin “Kurban” të kreut të opozitës, Edi Rama.
Monday, 24 October 2011 15:41