Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 14:32

Tiranë – “Shqipëria në NATO është garancia e lirisë, sigurisë dhe e zhvillimit në tërësi”, deklaroi sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në hapje të punimeve të konferencës dyditore “Integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Kuvendi, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga parlamentet e Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.

Topalli në fjalën e saj tha se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive për sigurinë në rajon dhe atë globale, së bashku me vendet e tjera të Aleancës.

Duke e cilësuar sukses procesin e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ajo theksoi se kjo kandikuar në shpejtimin e reformave demokratike në këto vende, si dhe në forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimin rajonal.

Topalli nënvizoi se Karta e Adriatikut mbetet një forum gjithpërfshirës, ku duhet të marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast ajo vlerësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në konferencën e sotme, në statusin e vëzhguesit.

“Shqipëria, si një vend themelues i Kartës së Adriatikut, do të mbështesë fuqishëm përfshirjen e Kosovës në këtë organizatë, gjë që do t’i shërbente shpejtimit të integrimit të Kosovës në NATO”, tha kryetarja e Kuvendit.

Konferenca “Integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor” synon të mbështesë axhendat e përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas drejtimeve të konceptit strategjik, të miratuar në Lisbonë.