Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 12:41

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, vlerësoi ndihmën që vendet e “Kartës së Adriatikut” po ofrojnë në misionet e NATO-s dhe rolin që ka luajtur kjo Kartë në fuqizimin e vendeve të rajonit. “Pak kohë më parë vendet e Ballkanit Perëndimor ishin konsumatorë të sigurisë, ndërsa sot ato janë ndihmues në sigurinë, duke dërguar trupa ushtarake në disa nga zonat më të rrezikshme si Afganistani. Kjo tregon që këto vende janë bërë ofruese të sigurisë”, tha ambasadori Arvizu.

“SHBA-të janë krenarë që janë pjesë e Kartës së Adriatikut. Ne besojmë në vendet që ju përfaqësoni dhe më e rëndësishmja besojmë në popujt që ju përfaqësoni”, tha Arvizu.

Ai gjithashtu theksoi se SHBA-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit për të ruajtur sigurinë në botë, duke shtuar se SHBA-ja nxit Bosnjen dhe Maqedoninë për të vazhduar përpara me planet e tyre për anëtarësim.

Ambasadori Arvizu theksoi se SHBA mbështet politikën e dyerve të hapura. “SHBA-të janë të përkushtuara ndaj politikës me dyer të hapuara, ndaj nxisin Serbinë dhe Kosovën për të vijuar procesin për integrimin Euroatlantik, duke përfituar nga mundësitë për pjesëmarrje në takimet e Aleancës”, u shpreh Arvizu.

Ambasadori Arvizu theksoi se integrimi euroatlantik kërkon më shumë bashkëpunim dhe kompromis. “Integrimi euroatlantik kërkon angazhim dhe si i tillë ky angazhim bie mbi parlamentin dhe këtu në Shqipëri në parlamentin shqiptar”, tha ambasadori i SHBA, duke ftuar “Kryetaren e Kuvendit, znj. Topalli, dhe kreun e Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, që të krijojnë një kompromis për të siguruar që vendi të qëndrojë në kurs”.

“Debati i shëndetshëm është një pikë, por po ashtu është edhe kompromisi”, theksoi ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu.