Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 08:08

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të Qeverisë së Kosovës i ka dërguar një letër urimi Këshillit Kombëtar të Libisë, duke i uruar popullit Libian për çlirimin e vendit nga regjimi totalitar i Muamar Gadafit.

“Populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dëshirojnë t’ju përgëzojnë për çlirimin tuaj nga sundimi totalitar 42-vjeçar i Muamar Gadafi. Çlirimi i vendit tuaj shënon fillimin e një epoke të re për Libinë, e cila sot është e gatshme t’i ndërtojë institucionet demokratike”, thuhet në këtë telegram.

Më tej thuhet se në këtë proces, Republika e Kosovës inkurajon Këshillin Kombëtar të Libisë, që pas përfundimit të dhunës dhe frikës që ndjelli për vite Muamar Gadafi, të fillon ndërtimi i një sistemi të drejtësisë, që është i bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut. “Vdekja e regjimit tiranik të Gadafit paraqet një mundësi për një marrëdhënie të re, kuptimplotë mes Libisë dhe Kosovës. Qeveria e Kosovës mbështet formimin e një Qeverie të përkohshme në Libi dhe është e gatshme të ndajë përvojat nga procesi i tranzicionit në Kosovë”, thuhet në telegramin e urimit nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, dërguar Këshillimit Kombëtar të Libisë.