Lajme Shqip Sunday, 23 October 2011 13:21

Prishtinë – Grupe të serbëve edhe natën e shkuar e kaluan në barrikada, ndërsa kryetarët e katër komunave të veriut presin të takohen sot në Beograd me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç për të biseduar rreth “tejkalimit të krizës në veri” dhe “presin përkrahje për qëndrimin e tyre që në vendkalimet në veri të Kosovës nuk duhet të ketë doganierë dhe policë kosovarë”.

Mbrëmë u njoftua se ka përfunduar pa marrëveshje takimi i kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës, të zgjedhjeve të organizuara nga Beogradi, me shefin e EULEX-it, Xavier de Marnhac, dhe komandantin e KFOR-it Erhard Dreës.

Pas takimit të zhvilluar gjatë paditës në Shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës, Marnhac, i cituar në një komunikatë,  ka deklaruar se “EULEX-i do të vazhdojë të punojë me KFOR-in për të siguruar që parimi themelor i lirisë së lëvizjes do të zbatohet pa shtyrje të mëtejshme”.

Më 19 tetor  EULEX-i njoftonte se bashkë me KFOR-in kishin filluar në mëngjes një operacion të përbashkët për rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. “Barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Këto veprime janë ndërmarrë afër Pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut”, thuhej në njoftim, ku po ashtu bëhej e ditur se “janë shënuar disa incidente të vogla”.