Tiranë – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” zhvilluan dje një tubim në qytetin e Korçës, duke mbyllur kështu turin “Ji krenar që je shqiptar”.
Pas tubimit, në një marshim pa fjalime, pjesëmarrësit në aktivitet zhvilluan një protestë përpara konsullatës greke, gjatë së cilës mbështetësit e PDIU-së në Korçë, kërkuan që të mos përsëriteshin më veprimet antishqiptare nga kjo konsullatë.
Gjatë tubimit të zhvilluar në teatrin “Andon Zako Çajupi”, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se “duke ardhur për në Korçë, mësova se konsulli ishte larguar, këtë herë përfundimisht. Duke qenë se ka deklaruar largimin edhe herë të tjera, pas presionit të shoqërisë shqiptare dhe tuajën si korçarë patriotë, dua të siguroj se ai nuk do të kthehet sërish dhe ne do të bëhemi garantë për këtë. Por, mentaliteti që ka sjellë konsullin grek këtu ende nuk ka ikur. Amendamentet tona e kanë frenuar atë, ia kanë hequr mundësinë që të abuzohej me censusin. Tashmë asnjë që është shqiptar nuk mund të deklarohet ndryshe”, tha Idrizi.
Nga Korça, Idrizi bëri thirrje për një Rilindje të Re Kombëtare.
“Korça, qarku i Korçës, është zona që iu përgjigj më së miri thirrjes së PDIU-së, “jam krenar që jam shqiptar”. Kjo ishte thirrja jonë dhe gjatë fushatës zgjedhore të fundit dhe mijëra korçarë ju bashkuan këtij mesazhi të PDIU-së, një parti e re në pluralizmin shqiptar”, tha Idrizi.
Sipas tij, sot Shqipëria, kombi shqiptar kanë nevojë për një Rilindje të re. “Rilindja e re do të duhet të mbështetet pikërisht mbi këto qytete, mbi këto pellgje urbane, që dhe sot janë më të zhvilluara se pjesa tjetër e vendit. Prej këtej do të rrezatohet zhvillimi”, u shpreh Idrizi.
Saturday, 22 October 2011 07:06