Tiranë – Qeveria e Republikës së Shqipërisë miratoi marrëveshjen me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në fushën e përfaqësimit të përbashkët konsullor.
Kjo marrëveshje bën të mundur njehësimin e legjislacionit dhe praktikave mes dy vendeve dhe përgjysmon shpenzimet përkatëse të secilit vend.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e quajti këtë marrëveshje shumë të qëlluar dhe shumë të domosdoshme, bazuar në një model që e kanë përdorur vende të tjera dekada më parë.
“Shqiptarët duhet ta ndiejnë veten njësoj, si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë dhe nuk ka nevojë qytetari të mendojë se ç’praktikë do t’i duhet të ndjekë në secilin vend”, u shpreh Berisha, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet ta shndërrojnë praninë e dy qeverive dhe administratave në mundësi më të mëdha dhe jo në pengesa dhe burokraci më të mëdha.
Sipas tij, dy vendet një praktikë të tillë duhet ta kenë edhe në dogana, në tatime, në arsim, në fushën sociale, në fushën e kulturës pa diskutim, mjedis e gjithçka tjetër.
“Është e domosdoshme që trendet e bashkëpunimit të konsolidohen e të fuqizohen me një kuadër ligjor të njëjtë, me praktika të njëjta, sepse kjo do të lehtësojë shumë barrën burokratike mbi supet e qytetarëve të Kosovës dhe të qytetarëve të Shqipërisë”, tha kryeministri i Shqipërisë.
Friday, 21 October 2011 10:07 