Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 17:13

Tiranё – Raporti i fundit i IFC-së dhe Bankës Botërore konstaton për vitin e nëntë në vazhdim, se Shqipëria ka bërë përparim në regjistrimin e pronave, por marrja e lejeve të ndërtimit është bërë më e vështirë.

I bërë publik sot, “Të bërit biznes për vitin 2012: Të bërit biznes në një botë më transparente”, vlerëson rregullat që prekin firmat e vendit në 183 ekonomi.

Raporti i klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, të tilla si, nisja e një biznesi, zgjidhja e çështjes së falimentimit dhe tregtisë ndërkufitare. Metodologjia e përdorur nga studimi këtë vit u zgjerua për të përfshirë edhe treguesit e lidhjeve elektrike.

Sipas raportit të BB-së, të dhënat e reja tregojnë se përmirësimi i qasjes në informacion për rregullat e biznesit i ndihmon sipërmarrësit. “Rritja e transparencës dhe qasja në informacionin rregullator është me rëndësi për krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për biznesin”, tha Sylvia Solf, autorja kryesore e raportit. “Deri më sot, 60 për qind e ekonomive të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore e kanë bërë të lehtë marrjen e informacionit për afatet e pagesave apo kërkesat për dokumentacion për tregti, nisjen e një biznesi dhe lejet e ndërtimit.”

Një masë e re e cila analizon ndryshimet e rregullave të biznesit nga këto vende gjatë gjashtë viteve të fundit tregon se si ekonomitë e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore kanë krijuar mjedise më miqësore ndaj biznesit. “Studimet tregojnë se një mjedis biznesi i riorganizuar ndihmon rritjen ekonomike të një vendi”, tha Augusto Lopez-Claros, Drejtor për Treguesit dhe Analizat Globale, në Grupin e Bankës Botërore. “Duke thjeshtuar rregulloret dhe zgjeruar mundësitë e marrjes së kredive, vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore vazhdojnë të shtojnë mundësitë për sipërmarrësit”.