Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 13:19

Tiranё – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njoftoi të enjten parlamentin për paditë e ngritura ndaj dy deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Saimir Tahiri.

Gjatë seancës plenare të radhës, kryetarja Topalli theksoi se të dy deputetët janë paditur për shpifje në sallën e parlamentit dhe për këtë do të shkojnë në gjyq.

“Do të jeni në gjyq për shpifje dhe përbaltje që hidhni në Kuvend. Ka një rregullore dhe ka një ligj. Çdo gjë që ju duket se ju shkon në bursën e krediteve, në atë të shpifjeve, ju bën dëm edhe juve, edhe Kuvendit. Ju keni gjetur rrugën tuaj, megjithatë ju them se në gjyq do jeni njëri më datë 31 dhe tjetri më datë 26. Fletë-padinë e kam në zyrën time, nuk ka procedurë”, deklaroi Topalli.

Njoftimi i përcjellë në seancë nga kryetarja e Kuvendit erdhi pas akuzave për korrupsion që deputeti i PS-së, Taulant Balla i drejtoi ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, pas një interpelance që ky i fundit zhvilloi sot në parlament.