Ajo duhej të ishte në kulmin e karrierës së saj duke pozuar për sete fotografike artistike dhe jo përpara aparatit fotografik të paraburgimit. Por, Lindsay Lohan ka qenë subjekt i fotografimit përpara burgimit pesë herë brenda katër viteve, ende në një moshë të re 25 vjeçare!
Dje Lohan u largua e përlotur nga salla e gjyqit, me duar nën pranga, pasi gjyqtarja e akuzoi atë për shkelje të provës dhe dështimin e saj në përfundimin e detyrimeve të saj në ‘Qendrën e Grave’.
Është mësuar se Lohan është larguar nga paraburgimi pasi ka paguar 100 mijë dollarë, dhe se nuk do të qëndrojë pas hekurave për momentin. Vendimi i këtij procesi pritet që të merret në seancën e muajit nëntor. Gjykata ka vendosur që deri atëherë do të kërkojë dëshmi të tjera për të provuar përkushtimin apo jo ndaj detyrave të ngarkuara. Lindsay duhet të shërbejë në javët e mbetura 16 orë si pastruese në morg.
Gabimisht sherifi i Departamentit të Los Angeles-it e regjistroi Lindsay-n në regjistrin e paraburgimit si gjini mashkullore dhe se peshonte 53 kilogramë.
Aktorja më parë ishte dënuar për 360 orë ‘shërbim komuniteti’ si ndëshkim për vjedhjen e një gjerdani në fillim të vitit. Gjatë seancës së djeshme gjykatësja e ka akuzuar atë se ka munguar në 9 seanca. Avokatja mbrojtëse e saj është munduar t’i justifikojë me disa orë shërbimi që Lohan ka bërë pranë Kryqit të Kuq, por shërbimi pranë tyre ishte i pavlefshëm pasi nuk përfshihej në ‘Shërbimet Komunitare’.

Gjyqtarja Sautner ishte mjaft në mëdyshje për faktin që ‘Shërbimi i Komunitetit’ i kishte nxjerrë Lohanit një raport aq pozitiv të shërbimeve të saj. Në dokumentet nga psikoterapisti, për të thuhet se “Ajo po ja del mbanë. Është duke bërë ndryshime; po përpiqet të bëhet më e disiplinuar në veprimet e saj dhe se po bën një kthesë të madhe në jetën e saj”. Raporti gjithashtu thotë se ajo ka shkuar çdo javë për terapi, gjë që gjyqtares ju duk mjaft kontradiktore, për shkak të udhëtimeve që ajo ka bërë jashtë shtetit.
Aktorja e filmit “Mean Girls” ka shërbyer edhe 35 ditë arrest shtëpiak, si pjesë e dënimit të saj. Karriera e saj premtuese si aktore ka dalë nga binarët për shkak të udhëtimeve të saj të shpeshta në paraburgim dhe rehabilitimit që në vitin 2007.
Avokatja e Lohanit, Holley, është munduar ta mbrojë atë duke i thënë gjyqtares se aktores, duke qenë se nuk po i krijohen mundësi punësimi në Amerikë, është e detyruar të udhëtojë në Evropë, qoftë edhe për spote fotografike. Por, gjyqtarja Sautner nuk i ka marr parasysh nevojat e saj për të bërë para dhe ka këmbëngulur në zbatimin e kushteve të provës, të detyrueshme nga Kushtetuta Amerikane. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 October 2011 12:50 