Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 11:31

Prishtinë – Heqja e barrikadave në veri të vendit dhe lirimi i rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31, sipas KFOR-it, deri më tani ka rezultuar me sukses, ka deklaruar Uve Novicki, zëdhënës i KFOR-it.

Ai tha se KFOR-i ka kontroll të plotë në luginën e epërme të Ibrit dhe në rrugët që janë përdorur për kontrabandë. Sipas tij, KFOR-i ka kontroll të plotë në pikat kufitare dhe kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë.

Novicki, ka vënë në pah se barrikadat janë hequr pjesërisht duke mos dhënë detaje se në cilat vende janë hequr ato.

Ndërkohë, raportohet se diku 150 serbë kanë tentuar të parandalojnë ushtarët e KFOR-it në largimin e barrikadave në një nga rrugët kryesore që çon në pikën kufitare në Bërnjak. KFOR-i ka shpërndarë turmën e mbledhur duke përdorur gazi lotsjellës.

Ndryshe, bisedimet mes përfaqësuesve të pakicës serbe në veri dhe atyre të misionit të NATO-s lidhur me heqjen e barrikadave rezultuan të pasuksesshme të mërkurën.

Presidenti serb, Boris Tadiq, përmes një deklarate për media, u kërkoi serbëve kosovarë të mbesin të qetë, ndërsa KFOR-it dhe EULEX-it t’i shmangen përdorimit të dhunës.

Ndërkaq një thirrje u ka drejtuar edhe liderëve serbë në veri. Prej tyre ai ka kërkuar të veprojnë në interes të qytetarëve serbë, ndërsa u ka kërkuar të mos vihen në shërbim të interesave partiake dhe të bëhen instrumentë politikë në funskion të fushatës zgjedhore për zgjedhejt e ardhshem parlametnare në Serbi.