Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 21:35

Prishtinë – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) bëri të ditur sot se deri tani ka privatizuar mbi 300 ndërmarrje shtetërore, nga të cilat janë krijuar 676 ndërmarrje të reja.

Ndërsa sa i përket shitjeve përmes likuidimit, deri tani janë organizuar 9 raunde tenderash dhe janë tenderuar 211 asete të ndërmarrjeve shtetërore. Në fondet e mirëbesimit janë grumbulluar mbi 580 milionë euro, prej të cilave nga privatizimi 537 milionë, ndërsa nga likuidimi me shitje të aseteve 43 milionë.

Agjencia ka arritur suksese edhe me shpërndarje të 20 % të aseteve për punëtorët dhe deri tani ka shpërndarë 45 milionë euro për 26 mijë punëtorë. Këtë muaj pritet të aprovohen edhe 7 listat e mbetura të ndërmarrjeve të privatizuara më parë përsa i përket 20 % , që është një lajm shumë i mirë për punëtorët.

Agjencia Kosovare e Privatizimit sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të Valës 52 të privatizimit shpalli fituesit e përkohshëm për ndërmarrjet e reja të tenderuara përmes metodës së Spin Off-it të Rregullt.

Gjithsej 17 ndërmarrje të reja ishin në dispozicion për shitje.

Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve privatë -blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.