Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 19:28

Ankara – Armata turke zbaton operacione kundër kryengritësve nga Partia Punëtore Kurde (PKK) në rajonet rreth kufirit të Turqisë me Irakun, kumtoi sot në Ankara kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Në këtë moment në rajon në vijim janë operacione të mëdha, të cilat përfshijnë edhe kërkime tejkufitare në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha Erdogan pas takimit të tij me minisitrat e punëve të brendshme dhe mbrojtjes dhe udhëheqësitë e shërbimeve zbuluese dhe të Forcave të armatosura.

Aksioni paraqet përgjigje të disa sulmeve të pjesëtarëve të PKK-së gjatë natës së kaluar në Turqinë juglindore, me ç’rast janë vrarë 24 ushtarë turq.

Burime të armatës kumtuan se disa aeroplanë ushtarak turk sot kanë kryer sulme mbi disa caqe të PKK-së në Irakun verior, si përgjigje të sulmeve të natës së kaluar. Sipas burimeve të njëjta, krahas kësaj, shtesë edhe komandosë turq me helikopterë janë transferuar në thellësi prej shtatë deri tetë kilometra të territorit irakian.

Mediat turke njoftojnë se për momentin në territorin irakian ndodhen rreth 500 pjesëtarë të Forcave të armatosura të Turqisë.

Paraprakisht, u kumtua se forcat turke të sigurisë sot kanë vrarë 15 kryengritës kurdë në përleshjet me Turqinë juglindore në afërsi të kufirit me Irakun.

Të paktën një mijë kryengritës të PKK-së natën e kaluar zbatuan sulme në shtatë vende të ndryshme në rajonin e Turqisë juglindore. Qëllimi i sulmeve ishin pikat kontrolluese ushtarake dhe stacionet policore afër Çukurxhas dhe Juksekovës, në qarkun e Hakqari.