Tiranë – Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar gjatë një vizite në universitetin ‘Epoka’, se censusi, edhe pse është një proces rutinor, u kthye në një betejë për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar, nxitur nga përpjekjet për manipulime nga qarqe të caktuara.
“Censusi në vetvete është një proces rutinor, është një ushtrim statistikor, por pa pandehur ai u shndërrua në një moment shumë të rëndësishëm, në një betejë ku ne duhet të mbronim identitetin tonë kombëtar dhe papritmas ne u ndjemë të cënuar”, theksoi Idrizi.
Sipas Idrizit, regjistrimi mbi bazën e etnisë dhe fesë rrezikon të përdoret për qëllime përçarjeje, ndërsa në fakt duhet bashkëpunim. Për këtë, tha ai, PDIU propozoi një sërë amendamentesh në lidhje me censusin.
“Dua të sqaroj se amendamentet tona nuk janë improvizime, por pjesë e njëlloj doktrine që e ka themelin tek objektivizimi i procesit të deklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare, në përputhje me kushtetutën”, tha Idrizi.
Ai theksoi se tentativat për manipulime në shifrat e minoriteteve bëhen me qëllimin e vetëm për të kthyer Shqipërinë në vend multietnik.
“Kemi një deklarim të Bollanos, i cili thoshte që Himara duhet të jetë një krahinë autonome. Pas kësaj, kemi një deklarim të Vangjel Dules, i cili thoshte që në zonat minoritare duhet të ketë policë nga minoriteti dhe që minoriteti grek duhet t’i ketë vendet e përcaktuara në parlamentin shqiptar. Këto deklarime takohen në një fill, ta kthejnë Shqipërinë në një shtet multietnik”, tha Idrizi, duke shtuar se “kjo është e papanueshme dhe e rëndë. Ata duke e ditur që nuk kanë numra tentuan ta bëjnë këtë nëpërmjet censusit, si dhe duke mobilizuar minoritetet e tjera”.
Për të ndaluar të gjitha këto tentativa PDIU-ja, kjo parti e patriotizmit modern shqiptar, propozoi amendamentet e ligjit për regjistrimin, tha Idrizi para studentëve.
Idrizi theksoi kombësia duhet të saktësohet vetëm në zyrën e gjendjes civile, mbi bazën e dokumentave dhe jo mbi bazë vetëshpalljesh momentale, të frymëzuara nga emocionet apo nga shtrëngesat e tranzicionit.
Wednesday, 19 October 2011 18:52