Prishtinë – Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha sot se raporti i progresit është raport politik dhe tregon sfidat që i ka Kosova drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.
Krasniqi njoftoi se Kuvendi i Kosovës do të debatojë në seancë të veçantë, më 27 tetor, për Raportin e Progresit, me kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe të grupevetë tjera parlamentare. Kryeparlamentari kosovar porositi institucionet e Kosovës dhe qytetarët, që t’i lexojnë mirë mesazhet që janë shkruar në raportin e progresit për Kosovën, për këtë vit.
Pas takimit të kryesisë së Kuvendit, Krasniqi tha se raporti i progresit është tërësisht raport politik dhe thekson qartë se çka dhe si duhet të punojnë institucionet e Kosovës, por edhe qytetarët e saj, për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Duke komentuar parajmërimin e KFOR-it për largimin e barrikadave, kryeparlamnari kosovar tha se kjo është detyrë e KOFR-it dhe se ata e dinë se kur do ta gjejnë momentin e përshtatshëm për të ndërhyrë.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës caktoi seancën e rregullt të Kuvendit në këtë të premte, ndërsa seanca në të cilën do të diskutohet raporti i progresit do të mbahet të enjten, më 27 tetor.
Tuesday, 18 October 2011 16:45