Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 14:54

Tiranë – Instituti i Statistikave njoftoi sot se procesi i censusit në të gjithë vendin po ecën sipas dinamikës së parashikuar. Përmes një komunikimi me median, INSTAT bëri të ditur se deri tani janë numëruar 79.6 % të banesave në të gjithë vendin. “Ritmi i deritanishëm është i kënaqshëm dhe mbi mesataren e përllogaritur”, u shpreh zëdhënësja e INSTAT-it, Vjollca Simoni.

Sipas Simonit, disa rrethe kanë një ecuri mbi këtë mesatare siç janë; Dibra, Saranda, Korça, Berati, Durrësi, Lezha, etj., ndërsa disa rrethe të tjera, si Puka, Tropoja, Gjirokastra etj., për shkak të terrenit të vështirë apo intensitetit të lartë të banesave, janë nën këtë mesatare.

“Anketuesit, të cilët janë persona të pajisur me mjete identifikuese nga INSTAT do t’ju pyesin për gjendjen tuaj reale. Pyetjet mbi statusin tuaj social dhe ekonomik janë të vendosura në një pyetësor i cili është ndërtuar sipas standarteve ndërkombëtare, ku parim bazë është deklarimi i lirë, ndaj mos hezitoni t’i përgjigjeni të gjitha pyetjeve. Cilësia e të dhënave të censusit varet nga përgjigjet tuaja”, nënvizoi Simoni.

INSTAT i bën thirrje qytetarëve të jenë bashkëpunues që të përfundojë me sukses procesi. “Censusi është një e mirë e përbashkët që do t’i shërbejë vetë komunitetit ku ne jetojmë çdo ditë”, vijoi ajo.

INSTAT informoi se të gjithë ato familje apo individë që deri në datën 21 tetor nuk janë kontaktuar nga anketuesit e INSTAT mund të telefonojnë falas në numrat 0 800 8888 dhe 0 800 3333, të cilët punojnë çdo ditë nga ora 8.00 e mëngjësit deri më 22.00 të darkës për çdo nevojë apo informim të publikut mbi censusin.

Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur në datë 1 tetor në terren, ku 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e Censusit. Në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren.

Me anë të Censusit do të merren informacion mbi popullsinë e Shqipërisë, se sa njerëz jetojnë në këtë vend, si jetojnë ata, çfarë pune bëjnë etj. Pra, të dhënat e censusit iu shërbejnë vetë qytetarëve të këtij vendi.