Brenda një dite, në zyrat e aplikimit për azil në Belgjikë janë paraqitur 50 kërkesa, që të gjitha nga zona e Shkodrës me arsyetimin se janë në gjakmarrje.
Kjo shifër është cilësuar si alarmante nga autoritetet belge, të cilat kanë dërguar në qytetin e Shkodrës drejtorin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Azilit. Ai ka paralajmëruar se kërkesat për azil do rrezikojnë heqjen e vizave për gjithë shtetasit shqiptarë.
Zyrtari belg ka kërkuar ndihmën e autoriteteve për të frenuar një fenomen të tillë pasi personat që kërkojnë azil paraqesin dokumenta, histori mashtrimi, raportime të cilat i marrin nga shoqata të pajtimit të gjaqeve apo pushtetit vendor dhe që janë tërësisht të pavërteta.
“Informacionet e freskëta që mora nga Brukseli vetëm sot paradite tregojnë se janë paraqitur 50 azilkërkues shqiptarë. Përse kam ardhur në Shkodër? Sepse shumica janë nga qarku i Shkodrës. Prandaj erdha këtu për një takim pune me autoritetet vendore të qarkut. Jo pa qëllim i bëra këto takime sepse njerëzit që fillojnë të projektojnë një udhëtim për qëllime azilkërkimi në Belgjikë kanë të drejtë që të marrin informacion të saktë”, tha Freddy Roosemont, Drejtori i Pergjithshem i Emigracionit në Belgjike.
Muajt e parë të liberalizimit të vizave nuk kishim probleme me Shqiperinë, por pas muajit gusht të këtij viti situata për shtetin belg është bërë shqetesuese.
Vetëm dy muajt e fundit ka pasur 161 kërkesa për azil nga Shqipëria, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve janë cilësuar si histori mashtrimi vetëm për të emigruar nga Shqipëria.
Tuesday, 18 October 2011 14:45