Tiranë – Byroja e Kuvendit diskutoi dje për projekt-buxhetin e Parlamentit për vitin e ardhshëm.
Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi që Sekretariati për buxhetin të shqyrtojë buxhetin para miratimit të tij në Qeveri.
Gjithashtu Byroja hodhi poshtë kërkesën e 9 deputetëve të PS për përjashtimin 15 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Sali Berisha për fyerje ndaj deputetit Saimir Tahiri, si të pabazuar.
Me dëshirën për një frymë bashkëpunimi për 12 prioritetet e BE, Kryetarja e Kuvendit nuk përjashtoi nga punët e Kuvendit deputetin e PS, Saimir Tahiri, i cili në mënyrë të përsëritur, larg etikës parlamentare, në seancën e kaluar, ka shkelur nenin 64, 65 të Rregullores, duke tentuar të provokojë seancën plenare.
Byroja i kërkoi Kryetares së Parlamentit që të jetë e vëmendshme dhe rigoroze në zbatimin e Rregullores, sidomos në rastet e provokimeve nga deputetë përsëritës, sikurse është rasti i z. Tahiri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtat arsye.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se “ajo gjithnjë ka qenë dhe do të jetë e kursyer ndaj deputetëve në masat e rregullores për ndëshkim, sidomos në këtë periudhë, kur deputetët duhet të diskutojnë me sens të lartë përgjegjësie dhe të etikës së komunikimit, veçanërisht në sallën e parlamentit”.
Tuesday, 18 October 2011 09:07