Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 12:55

Vushtrri – Persona të paidentifikuar kanë dhunuar varrezat e martirëve në qytetin e Vushtrrisë. Vandalistët e panjohur ua kanë ngjyrosur fytyrat dhe u kanë vizatuar mjekrra fotografive në varreza, ndërsa lulet e vendosura në varreza i kanë hedhur në rrugë.

Ndërkohë me dhjetra familjarë të martirëve të luftës së fundit në Kosovë, i kanë shprehur shqetësimet dhe indinjatëne tyre te organet komunale. Pas kësaj varrezat janë vizituar nga Nënkryetari i Komunës, Dibran Përçuku dhe drejtorët e drejtorive komunale, Sami Istrefi dhe Bajram Beqiri.

“Konstatuam një gjë të shëmtuar, që ka ndodhur në varrezat e qytetit. Ne e dënojmë këtë akt të pazakontë deri më tani në komunën tonë”, ka thënë Sami Istrefi, drejtor i Shërbimeve publike. Ai ka kërkuar nga organet kompetente të angazhohen në zbardhjen e këtij akti të ulët dhe në kapjen e autorëve , për t’ua dhënë atyre dënimin e merituar.

Istrefi u ka bërë apel qytetarëve për bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet lokale, për t’i parandaluar dukuritë e tilla.

“Në kohën kur ne ende presim zbardhjen e fatit për të zhdukurit tjerë, të ndodhin gjëra të tilla vërtet është ndodhi jonormale”, ka thënë Istrefi.

Ndërkohë portali ka kuptuar se banorët përreth varrezave tregojnë të kenë parë një qytetar të paidentifikuar nga ta me mjekërr dhe veshje karakteristike, i cili lulet e vendosura në këto varreza i kishte hedhur në rrugë.

Imami i xhamisë pranë varrezave të qytetit, Behar Dushi, shprehet të jetë shumë i revoltuar me një akt e tillë. “Kjo është katastrofë, veprime të tilla bëjnë persona të papërgjegjshëm”, tha Dushi.

Ai shprehu indinjatën e tij për akte të tilla në varrezat e martirëve, gjë që, sipas tij, e bën rastin edhe më të ndjeshëm. (LajmeShqip.com)