Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 08:11

Washington – Skandali me gjoja komplotin iranian për vrasjen e ambasadorit saudit në Washington dhe programin bërthamor iranian çojnë drejt përplasjes mes SHBA-së dhe Iranit, paralajmëroi senatorja amerikane Dajan Fajnstin.

“Irani e përshpejton programin e vet bërthamor dhe tregon armiqësi gjithnjë e më të madhe. Situata është shumë e rrezikshme. Lëvizim drejt përplasjes, ndërsa që ta shmangim duhet të veprojmë urgjentisht”, theksoi Fajnstin.

Ajo është senatore e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Senatit për zbulim.

Ekzistojnë dëshmi të fuqishme se Kasem Sulejmani, komandant i brigadave Al Kuds, njësiti elitar i Gardës revolucionare, ka qenë i implikuar në komplot.

I pyetur nëse SHBA-ja duhet t’i sulmojë brigadat Al Kuds, Fajnston u përgjigj se “kjo me siguri do të shkaktojë luftë, ndërsa në këtë moment kjo nuk është e nevojshme”.