Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 13:44

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha vleresoi të dielën figurën e Papa Gjon Palit të II-të, duke e cilësuar ate si frymëzuesin e popujve të shtypur në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet.

I pranishëm në ekspozitën me fotografi, të hapur nga Ambasada e Polonisë në Tiranë në kuadër të 33 vjetorit të pontifikimit të Papa Gjon Palit të II-të, me origjinë polake, Kryeministri Berisha deklaroi se “ky përvjetor është i rëndësishëm për njerëzit në mbarë botën, për katolikët, mylsimanet dhe njerëzit e të gjitha besimeve, sepse në krye të Selisë së Shenjte, Zoti solli Papën e lirisë”.

Papa Gjon Pali i II-të, vijoi Berisha, udhëhoqi jo vetëm Kishën Katolike, por frymëzoi popujt e shtypur të Europës në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor. Berisha shtoi se mesazhi i tij hyjnor “Mos kini frikë”, drejtuar polakëve dhe jo vetem, por të gjithë popujve të shtypur, do të mbetet thirrje e përjetshme për liri për të gjithë ata të cilët vuajtën nga rregjimet shytpëse dhe barbare.

Kryeministri theksoi se Papa Gjon Pali i II-të ka qenë dhe një nga miqtë më të mëdhenj e me të çmuar për shqiptarët.

Ai kujtoi se në takimin e parë me Papa Karol Vojtila, në vitin 1991 në Selinë e Shenjtë, ai i ka rrëfyer se lutej çdo dite për Shqipërinë. “Askush atë kohë nuk kishte ndjekur më me vëmendje tragjedine e madhe të shqiptareve nën regjimin e Enver Hoxhes. Papa ishte lutur çdo ditë për shqiptarët”, tha Berisha, duke kujtuar se thirrjet e tij, në fillim të viteve ’80 ishin një frymëzim i madh pasi do të njoftonte qytetarët e këtij vendi të zhytur në izolimin me të thellë se ata nuk ishin të harruar.

Kryeministri tha se ndjenjat e tij miqësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, Papa Gjon Pali i II-të do t’i dëshmonte edhe në vitin 1993, duke përzgjedhur Shqipërinë si vendin e parë për të vizituar në Ballkan, “një vizitë një ditore por unike në historine e Vatikanit”.

Duke sjellë në vëmendje takimin me Papa Vojtilën gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Kryeministri tha kujtoi se “para se të largohej, në një bisedë tërësisht private, do më shprehej se për atë kjo ishte një ditë ringjalljeje dhe kjo ishte e vërtetë sepse ne Shkoder shuguroi  4 Ipeshk, mes të cilëve Imzot Franio Ilia, i cili si atë ditë 24 vite më parë, me një gjyq fars te diktaturës, kishte marre komunikim nga gjykatësit se dënohej me vdekje. Ajo vizite pati dhe nje simbolikë të veçantë. Në aeroportin e Tiranës pata fatin dhe nderin ta presë Papa Gjon Palin e II-të, së bashku me Nënë Terezën.

Kryeministri tha në fund të fjalës së tij se Papa Gjon Pali i II do të shenjterohet si shenjtor i të gjithë kombeve që duan lirinë, pavarësisht nga besimet e tyre.

Papa Gjon Pali i II, me origjine polake, ndërroi jete në vitin 2005.