Shkodër – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë mbrëmë në homazhet e organizuara pasditen e së shtunës, në hollin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, në nderim të aktorit shkodran, Ndrekë Prela, i cili u nda nga jeta, në moshën 91-vjeçare.
“Sot i japim lamtumirën e fundit një aktori brilant, me një jetë të gjatë artistike. I madhi Ndrekë Prela, ka mbetur dhe do të mbesë në memorien e kombit, me lojën e tij të jashtëzakonshme si në teatër, ashtu edhe në kinematografi. Ne jemi rritur me rolet e tij”, tha Presidenti Topi në një prononcim për mediat.
Duke vlerësuar figurën e aktorit shkodran, Topi solli edhe një herë në vemëndje rolet e tij të spikatura në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e gjyshit të Dritan Shkabës, apo tek filmi “Në fillim të verës”, si dhe shumë filma të tjerë.
Duke shprehur mirënjohje për veprën e aktorit Ndrekë Prela, Kreu i Shtetit tha se ai do të mbesë, jo vetem në imazhin e filmave shqiptarë, por do të jetë një shkollë e vërtetë edhe për aktorët e rinj.
Sunday, 16 October 2011 08:07