Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 13:59

Tiranё – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi të shtunën me kryetaren e Parlamentit të Pakistanit, Fahmida Mirza u shpreh për nxitje të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike me Pakistanin, si një vend me potenciale të mëdha, me një popullsi rreth 180 milion banorë.

Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, me ftesë të kryetares Topalli erdhi sot për një vizitë zyrtare në Shqipëri, kryetarja e parlamentit pakistanez, një ndër personalitetet më të njohura në politikën e Pakistanit e përtej, e para grua në këtë post të lartë.

Znj. Fehmida Mirza theksoi se bashkëpunimi mes parlamenteve ka një rol thelbësor, pasi janë pikërisht parlamentarët ata që përfaqësojnë qytetarët.

Mirza, e cila kryeson vetë grupin parlamentar të miqësisë Pakistan-Shqipëri, hodhi idenë e ngritjes së një komisioni të përbashkët parlamentar, jo vetëm për të shkëmbyer përvoja legjislative, por për të nxitur bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Kryetarja e parlamentit pakistanez tha se Shqipëria po përjeton një sukses impresionues, me zhvillime pozitive për të ardhmen e vendit. “Marrëdhëniet ekonomike janë ende një ‘fushë e paeksploruar’ dhe është koha të rrisim këtë bashkëpunim në fusha si energjia, edukimi, bujqësia, kultura etj”, nënvizoi Mirza, duke falenderuar për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë vendit të saj në organizmat ndërkombëtare.

Dy kryetaret e parlamenteve diskutuan gjerësisht mbi bashkëpunimin edhe në sfida ndërkombëtare si sfidat ekonomike globale dhe lufta kundër terrorizmit.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Topalli vlerësoi qëndrimet pozitive të Pakistanit ndaj Kosovës, si gjatë luftës ashtu edhe pas shpalljes së Pavarësisë. “Do të vlerësonim shumë që Pakistani të çonte më tej këto qëndrime duke njohur pavarësinë e Kosovës, në shërbim të paqes dhe stabilitetit”, nënvizoi Topalli

Nga ana e saj, Mirza theksoi se Pakistani e ka seriozisht në konsideratë çështjen e Kosovës dhe se çdo vendim do të merret në përputhje me principet dhe ligjet ndërkombëtare. “Së shpejti, tha ajo, edhe kryeministri i Pakistanit do të vizitojë Shqipërinë, vizitë që ishte e parashikuar, por u shty për shkak të përmbytjeve në Pakistan”.

Kryetarja e Parlamentit të Pakistanit ka shprehur një interes të madh për të njohur Shqipërinë dhe në axhendën e saj janë parashikuar vizita në qytete të ndryshme të vendit, si Berat, Shkodër, Durrës, Krujë e të tjerë.

Vetëm brenda këtij  muaji, vizita e Fahmida Mirza është e dyta që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri pas vizitës së kryetarit të Parlamentit të Kuvajtit, me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Në 6 vitet e fundit, me ftesë të kryetares së Kuvendit kanë vizituar Shqipërinë rreth 40 kryetarë parlamentesh nga e gjithë bota. Shumë prej këtyre vizitave kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërparlamentare dypalëshe, duke qenë vizitat e para të këtij niveli të lartë në Shqipëri, si vizita e kryeparlamentarit të Kanadasë, Islandës, Norvegjisë, Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Arabisë Saudite, Kuvajtit etj.