Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 19:29

Shkodër – 100-vjetori i lindjes se poetit Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, përfshiu në harkun e një jave qytetin e Shkodrës me organizimin e një sërë aktivitetesh kushtuar veprës së tij, e cila u konsiderua si “Java Migjeniane”. Krahas strukturave të tjera, si ato të bashkisë, Universitetit, teatrit “Migjeni” etj, një masivitet të plotë kanë pasur aktivitetet e organizuara nga ana e Drejtorisë Rajonale Arsimore të prefekturës së Shkodrës.

Kështu, janë organizuar mbrëmjet letrare-artistike në gjimnazet “Jordan Misja”, “28 Nëntori”, “Oso Kuka”, si dhe disa prej gjimnazeve private, apo edhe shkollave 9 vjeçare, ku jane përcjellë për të pranishmit interpretime nga krijimtaria e Migjenit, me këngë dhe recitime dhe analiza rreth veprave të autorit. Programet artistike janë gërshëtuar edhe me bisedat e mbajtura nga te ftuar të ndryshëm, shkrimtarë, poetë e krijues nga rajoni verior e më gjërë si, Fadil Kraja, Skender Drini etj, të cilët nxorën në pah shumë prej vlerave të këtij autori, i cili për shumë vite duket se është lënë në harrese.

Etapa e fundit, e organizuar sot në mjediset e gjimnazit “28 nëntori”, tërhoqi vemendjen edhe për panairin e librave, në të cilin morën pjesë nxënës të shkollave të mesme dhe 9 vjeçare, pjesa më e madhe e të cilave ishte me veprat e Migjenit.

“Java Migjeniane” u pasuruar edhe më tepër, kur në shumicën prej aktiviteteve të organizuar për nder të kësaj figure morën pjesë edhe pjesëtare të familjes së Migjenit si, nipi i poetit, Gjergj Pero, mbesa e tij, Angjelina Ceka etj, të cilët shprehen kënaqësinë për nderimin që po i bën qyteti i Shkodrës, ku ai lindi u rrit dhe ushtroi aktivitetin e tij letrar deri sa sëmundja e rëndë e ndau nga jeta.