Tiranë – Kryetarja e Parlamentit të Pakistanit, Fahmida Mirza, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri në datat 15-20 tetor 2011, me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, kjo është vizita e parë e një kryetari të parlamentit të Pakistanit në vendin tonë. Zonja Fahmida Mirza bëri histori në Pakistan, duke u zgjedhur e para grua në postin e lartë të Kryetares së Parlamentit.
Ditën e shtunë, datë 15 tetor 2011 në orën 10:00, Kryetarja e Kuvendit do të presë homologen e saj nga Pakistani në një takim kokë më kokë.
Pas takimit, tw dy kryetaret e parlamenteve do të japin një deklaratë të përbashkët për mediat. Temë e bisedës mes dy Kryetareve të Parlamenteve do të jetë bashkëpunimi parlamentar, si një nxitje konkrete edhe për bashkëpunimin në fusha të tjera, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, zonja Mirza dhe delegacioni që e shoqëron do të takohet edhe me personalitetet e larta të vendit.
Kryetarja e Parlamentit të Pakistanit ka shprehur një interes të madh për të njohur Shqipërinë dhe në axhendën e saj janë parashikuar vizita në qytete të ndryshme të vendit, si Berat, Shkodër, Durrës, Krujë e të tjerë.
Vetëm brenda këtij muaji, vizita e zonjës Fahmida Mirza është vizita e dytë që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri pas vizitës së Kryetarit të Parlamentit të Kuvajtit, me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Shqiërisë.
Në 6 vitet e fundit, me ftesë të Kryetares së Kuvendit kanë vizituar Shqipërinë rreth 40 kryetarë parlamentesh nga e gjithë bota. Shumë prej këtyre vizitave kanë hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërparlamentare dypalëshe, duke qenë vizitat e para të këtij niveli të lartë në Shqipëri, si vizita e Kryetarit të parlamentit të Kanadasë, Islandës, Norvegjisë, Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë, Armenisë, Arabisë Saudite etj.
Friday, 14 October 2011 19:04