Beograd – Serbia as do ta njohë, as mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, është shprehur sot presidenti serb, Boris Tadiq, njofton agjencia e lajmeve. Ai ka shtuar se Serbia është e përcaktuar që kjo çështje të zgjidhet në mënyrën që do të mundësojë pajtimin e përhershëm dhe paqen e qëndrueshme.
Në sesionin e Nismës së Igmanit, Tadiq ka thënë se nuk ka një zgjidhje të lehtë për çështjen e Kosovës dhe për këtë, siç është shprehur ai, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm.
Sipas fjalëve të tij, zgjidhja e ardhshme për Kosovën duhet të përfshijë katër elemente – gjetjen e zgjidhjes për veriun e Kosovës, sigurimi i garancisë së veçantë për serbët që jetojnë nëpër enklava, sigurimi i mekanizmit të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore serbe dhe zgjidhja e çështjes së pasurisë së Serbisë dhe të serbëve në Kosovë.
Tadiq ka rikujtuar se në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës janë arritur disa rezultate konkrete të mira, siç e citojnë mediat serbe të ketë thënë ai, duke shtuar se zgjidhjet e njëanshme janë kundërproduktive dhe nuk sjellin rezultate.
Përfaqësuesit e Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe të BeH-së nënshkruan sot në Beograd një deklaratë të përbashkët me të cilën i bëjnë thirrje BE-së që, me gjithë krizën, “të mos e lë anash rëndësinë e procesit të zgjerimit”, si instrument për stabilizimin e paqes.
Sesioni i 22-të i Nismës së Igmanit po diskuton rreth temës “Perspektiva evropiane, bashkëpunimi dhe stabiliteti rajonal” dhe në punën e tij po merr pjesë edhe komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle.
Friday, 14 October 2011 16:07