Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 13:57

Ettore Sequi, ambasadori i BE-së në Tiranë, i ftuar në Top Story me rastin e publikimit të raportit të Komisionit Europian, dha një opinion të vetin lidhur me atë që ndodhi më 21 janar të këtij vitit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sequi, ashtu si dhe ambasadorë të tjerë (përveç atij amerikan), nuk mbahet mend të jetë shprehur në publik lidhur me këtë ngjarje; në mos, duhet të ketë thënë diçka shumë neutrale që, bash për këtë arsye, ka kaluar e paregjistruar në memorjen e opinionit publik shqiptar.

Ndërsa dje, dhjetë muaj pas ngjarjes që tronditi fort jetën politike shqiptare, ambasadori Sequi jep një qëndrim të tijin mbi atë që i kanë parë sytë. Nuk jep gjykim për palët.

Nuk vë gishtin mbi ndonjë fajtor, gjithashtu, pasi pozicioni i përfaqësuesit më të lartë të BE-së në Shqipëri, nuk e lejon ta bëjë këtë gjë. Por ngjarjen e përkufizon si “gjënë më të trishtuar që kish parë në karrierën e tij diplomatike”.