Durrës (PLOTËSUAR 15:02) – Forcat e Policisë dhe polumbarët e trupave “RENEA” kanë gjetur trupin e 10-vjeçarit Arbër Keçi, i cili humbi jetën aksidentalisht natën e kaluar bashkë me tre pjesëtarë të familjes.
Burime zyrtare nga Policia e Durrësit, bënë të ditur se trupi i pajetë i viktimës së fundit të aksidentit, të ndodhur pranë fshatit Gjepalaj, u gjet jo shumë larg automjetit ku u gjetën edhe dy prindërit e 10-vjeçarit, Baki e Mimoza Keçi 42 dhe 39 vjeç, si dhe vëllai më i madh, Ronaldo, 14 vjeç.
Nga hetimet e para mësohet se aksidenti, i cili i mori jetën e katër pjestarëve të familjes, ndodhi mesnatën e kaluar, kur automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një përrua, disa metra më poshtë, gjatë kohës kur stuhia dhe reshjet e shiut goditën rajonin bregdetar të Durrësit.
Trupat e viktimave të aksidentit janë dërguar në morgun e spitalit rajonal të Durrësit për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
****************************
Durrës – Mëngjesi i sotëm gdhiu edhe me një tragjedi. Katër persona të një familjeje nga zona e Shijakut, që udhëtonin me automjetin 87 71 C, humbën jetën gjatë natës së kaluar, pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka rënë në lumë, në afërsi të fshatit Gjepalaj, rreth 12 km larg Durrësit.
Burime zyrtare nga policia e Shijakut bënë të ditur se “Baki dhe Mimoza Keçi, 42 dhe 39 vjeç, dhe më pas njëri nga djemtë, Ronaldo, 14 vjeç, janë gjetur mëngjesin e sotëm nga kalimtarët të mbytur, ndërsa ende nuk dihet fati i djalit tjetër të çiftit, Arbrit”.
Sipas policisë, po punohet për gjetjen e djalit tjetër, si dhe për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje tragjike.
Friday, 14 October 2011 09:44