Tiranë – Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian, për Europën Juglindore, Eduard Kukan, u shpreh në një intervistë për Deutsche Welle-n se, arsyeja kryesore që KE nuk e rekomandoi edhe këtë vit Shqipërinë për statusin e vendit kandidat është se, drejtuesit politikë të Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t’i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik.
“Kjo mungesë dialogu është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres”, thekson Kukan, i cili shton se, “në të njëjtin konkluzion ka arritur edhe KE, në raportin e tij, të publikuar dje”.
Kukan shprehet se politika shqiptare duhet të ecë drejt kulturës politike evropiane. “Mbase kjo situatë është pasojë e kulturës politike në Shqipëri. Kjo kulturë duhet të eci drejt kulturës politike evropiane, e cila u jep zgjidhje pikpamjeve të ndryshme dhe mosmarrëveshjeve mes forcave politike përmes dialogut dhe kompromisit. Kjo është e vetmja rrugë, në mënyrë absolute, nuk ka rrugë tjetër. Pra, është e nevojshme që Shqipëria të përqafojë kulturën politike, që kanë të gjitha vendet anëtare të BE, të përqafojë mënyrën europiane për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve sepse kjo është në interes të vendit”, thotë Kukan.
Sipas tij, dialogu, kompromisi madje edhe vënia e interesave të vendit mbi ata partiakë nga ana e politikanëve drejtues janë mesazhe konstante, që i janë dërguar Shqipërisë që prej një kohe të gjatë nga shumë politikanë të institucioneve të BE dhe reagimi i politikanëve drejtues të Shqipërisë nuk ka qënë i mjaftueshëm.
“Mendoj që momenti i kthesës do të vijë vetëm kur ata të kuptojnë përgjegjësinë e madhe që kanë ndaj popullit dhe Shqipërisë. Kjo është vërtet një përgjegjësi e madhe. Nëse ata duan që ta çojnë popullin dhe vendin drejt anëtarësimit në BE për të siguruar një jetë më të mirë, atëherë duhet të realizojnë në mënyrë reale dialogun politik. Pika e kthesës do të jetë të kuptuarit, ndërgjegjësimi i tyre se pa dialog nuk mund të shkohet përpara. Dhe kjo nuk është e ndershme në raport me popullin shqiptar”, thekson Kukan.
Sipas Kukan, “kohët e fundit ka disa zhvillime të reja inkurajuese: opozita është kthyer në parlament dhe ka bërë disa propozime që Parlamenti Europian i inkurajon. Këto mund të jenë shenja të mira që klima politike në Shqipëri po fillon të ndryshojë. Por ne duam më shumë prova, ne duam të shohim që parlamenti, që është institucioni demokratik për të bërë betejat politike, po funksionon normalisht, që deputetët marrin pjesë në seancat e tij, që secili merr pjesë në votim e kështu me radhë”.
“Duket se në Shqipëri ende nuk janë krejt të sigurtë që ky është funksionimi i qëndrushëm dhe jetëgjatë demokratik i Parlamentit. Ne duam prova që ky lloj funksionimi i Parlamentit të kuptohet. Ka sinjale të mira nga Shqipëria për Europën, se gjërat po ndryshojnë”, shprehet ai.
Kukan thekon gjithashtu se, “Progres Raporti i KE, për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, u publikua. Progres raporti i ardhshëm do të jetë në Tetor 2012. Natyrisht Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian po ndjekin nga shumë afër skenën politike të Shqipërisë. Por vendimi për statusin e vendit kandidat do të vijë pas 12 muajsh. Shqipëria humbi edhe një vit tjetër”.
Sipas Kukan, anëtarësimi në të ardhmen i Shqipërisë në BE ka interes të ndërsjelltë për Shqipërinë dhe BE. “Mund t’ju siguroj që institucionet europiane, përfshirë këtu edhe PE, do të vazhdojnë ta mbajnë të hapur dialogun me partitë dhe politikanët e Shqipërisë, për të përsëritur mesazhet që u janë dërguar atyre më parë vazhdimisht. Kështu më 23 dhe 24 nëntori në Tiranë do të mbërrijë një delegacion i PE dhe do të zhvillojë bisedime me deputetët e Parlamentit të Shqipërisë. Po kështu do të zhvillohen bisedime në Bruksel mes politikanëve të Shqipërisë dhe Departamentit të Zgjerimit të Komisionit Europian. Pra, dialogu do të vazhdojë edhe pse KE nuk dha rekomandimin BE që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, përfundoi, Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian, për Europën Juglindore, Eduard Kukan.
Thursday, 13 October 2011 19:46