Prishtinë – Kosova pret njohje edhe nga Egjipti, bëri të ditur sot kryeministri Hashim Thaçi gjatë një takimi në Prishtinë me një delegacion të përfaqësuesve politikë të këtij vendi, i kryesuar nga Dr. Abdullah Hassan Ali Allashaal.
“Pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tani ne presim njohjen edhe nga Egjipti”, u shpreh kryeministri Thaçi.
Gjatë takimit, kryeministri Thaçi ka njoftuar delegacionin e lartë nga Egjipti me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës, duke shtuar se qeveria kosovare beson se është koha për fillimin e një bashkëpunimi në mes të dy vendeve, Kosovës dhe Egjiptit. Ai ka shpalosur disa nga prioritetet e Qeverisë, para se gjithash për reformat në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
“Tri vite pas shpalljes së Pavarësisë, Republika e Kosovës ka konsoliduar institucionet e veta, qeverisjen e mirë, transparente, efektive, fuqizimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, është duke implementuar vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Mbi të gjitha, pavarësia e Kosovës, ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe bashkëpunim në rajon”, tha Thaçi, duke theksuar se Republika e Kosovës është në fazën e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Përfaqësuesit politik nga Egjipti janë shprehur të kënaqur me vizitën në Republikën e Kosovës dhe shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim të gjithanshëm dhe miqësor në mes të Egjiptit dhe Kosovës.
Delegacioni nga Egjipti u prit edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sabri Hamiti.
Delegacioni ka mbërritur për vizitë katër ditore në Kosovë, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Delegacioni egjiptian do të pritet në takime nga udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës, do të vizitojë disa qytete dhe zona të rëndësishme historike, si dhe do të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga asociacione të shoqërisë civile kosovare.
Organizimi i vizitës së delegacionit egjiptian në Kosovë, është pjesë e diplomacisë publike dhe e aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Lobim për Njohje të Republikës së Kosovës, me qëllim të avancimit të procesit të njohjes së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë dhe thellimit të komunikimit të Kosovës me publikun e shteteve kyçe. Kjo është vizita e dytë egjiptase në Kosovë në tre muajt e fundit.
Wednesday, 12 October 2011 20:55