Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 20:31

Tiranë – Revista prestigjoze amerikane “Newsweek”, ka renditur Shqipërinë në vendin e 21 mes 165 vendeve të tjera, për sa i përket përmbushjes se të drejtave të grave në çështje që lidhen me cilësinë e jetës.

Raporti i revistës amerikane ka analizuar 5 sektorë, ndër të cilat dhe shëndetësia e vlerësuar me 99.3 pikë nga 100 të mundshmet duke e renditur vendin tonë të dytin pas Norvegjisë për lehtësitë që ofron ndaj grave.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, referuar këtij raporti, tha se “ky është një vlerësimi i rëndësishëm  që revista amerikanë ‘Newsweek’  ka bërë për 165 vende të botës  mbi problemet e trajtimit të çështjeve të gruas dhe ku Shqipëria  renditet në vendin  e 21 nga i 52, ku ajo ka qenë një vit më parë”.

Gjatë vitit të kaluar, vlerësimi që i bëhej vendit tonë mbi lehtësirat që i ofroheshin gruas në aspektin shëndetësor  arrinte në 71 pikë nga 100 të mundshmet, ndërsa sot mbledh 99.3 pikë, duke e renditur çështjen për trajtimin e problemeve të shëndetit të gruas si të parën (me pikët më të larta) në grupin e kritereve të analizuara. Shqipëria lë pas shumë vende si Greqia, Kroacia, Qipro, Sllovakia, Bullgaria, Malta etj”.

Vasili theksoi se një rezultat i tillë i nuk i dedikohet punës së një dite, por një përpjekjeje të vazhdueshme të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë. “Është bërë një punë intensive, e zhvilluar mbi respektimin e kritereve të rekomanduara në mënyre sistematike nga OBSH, si mbulimi dhe ndjekja shëndetësore  e 98 % të grave nga institucionet shëndetësore publike, kryerja e mbi  98 % të lindjeve në këto institucione, komunikimi i vazhdueshëm dhe kryerja e disa ekografive kontrolluese gjatë procesit të shtatzanisë, rritja e nivelit profesional në konsultore, rritja e spitaleve ‘Mike të nënës’, të cilët aplikojnë procedura jashtëzakonisht profesionale në trajtimin e gruas dhe fëmijës”, tha kreu i shëndetësisë.

Gjithashtu, sipas tij, përmes promocionit janë shënuar arritje në ushqyerjen me gji, e cila ka padyshim  ka ndikim në shëndetin e gruas. Vasili permendi gjithashtu rëndësine e kuadrit ligjor per abortet kriminale, zbatimi i strategjise kundër dhunës së gruas, kufizimi i së cilës parandalon edhe një sërë komplikacionesh që kanë të bëjnë me momentet e shtatzanisë, problemeve të kequshqyerjes dhe mbajtja e një kontrolli të plotë të trasmetimit të HIV\AIDS-it  nga nëna tek fëmija, etj.

Ndërkohë, ministri Vasili vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin se analiza është bërë mbi të dhënat e ofruara nga OBSH, UNFPA, UNDP etj, pra, sipas tij, nga  burime të pavarura dhe objektive të cilat i kanë dhënë këto rezultate pas monitorimit të indikatorëve shëndetësor në Shqipëri.

“Ambicja jonë është që t’i ruajmë këto arritje, por gjithashtu të thellojmë punën në  formimin e mëtejshëm të personelit për një asistence mjekësore të kualifikuar dhe njëkohësisht të ecim edhe më lartë pasi në këtë mënyrë kemi gra me shëndet të mirë, që janë një pasuri e madhe për shoqërinë dhe familjen ku roli i tyre mbetet  i pazëvendësueshëm”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.