Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 13:44

Sistemi bankar ruan përfitueshmërinë, por kreditë me probleme vazhdojnë të rëndojnë në rezultatin financiar të bankave.

Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave treguan se për 8-mujorin bankat arritën një fitim prej 2 miliardë lekësh.

Kjo vlerë është në nivele të përafërta me 7-mujorin, por është ndjeshëm më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sistemi bankar fitonte afro 5 miliardë lekë.

Ky rezultat përfaqëson shumën neto të rezultatit financiar të 16 bankave të sistemit dhe nuk nënkupton se të gjitha bankat kanë një rezultat më pak pozitiv se një vit më parë.

Por, në tërësi, rritja provigjioneve për kreditë me probleme është faktori kryesor që po “tkurr” fitimet e sistemit bankar. Kreditë me probleme vazhduan rritjen edhe për muajin gusht dhe sipas informacionit të publikuar nga shoqata e bankave norma e tyre arriti në 18%.

Kjo përfaqëson një rritje me 1 pikë përqindjeje krahasuar me fundin e Korrikut dhe 4.5 pikë përqindjeje krahasuar me Gushtin e vitit të kaluar.

Edhe treguesi i kredive me probleme ndryshon mjaft nga banka në bankë dhe ka të tilla syresh që këtë tregues e kanë shumë larg nivelit 18%.

Por, kryesisht portofoli problematik i disa prej bankave të mëdha të sistemit vazhdon ta rrisë nivelin mesatar të kredive me probleme.

Megjithë rritjen e kredive me probleme, kapitali i bankave është rritur në muajin gusht dhe ka arritur vlerën e 93.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 3.3% krahasuar me një vit më parë.

Pavarësisht nga përkeqësimi i portofolit kreditor, vlerësimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se sistemi bankar është i sigurt dhe i kapitalizuar mjaftueshëm.