Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 09:05

Prishtinë – Në debatin e djeshëm me qytetarë, të organizuar nga Demokracia në Veprim dhe Komisioni për Amendimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, u dhanë propozime të ndryshme për dilemat e hapura rreth ndryshimeve kushtetuese.

Alternativa që zgjoi interesimin e komisionit ishte çështja e aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë në procesin e shkarkimit të Presidentit të ardhshëm, në kuptimin që qytetarët, duke patur përgjegjësinë për zgjedhjen e Presidentit, të kenë edhe mundësinë e inicimit të shkarkimit të tij.

Ndërsa, kriteri i propozuar nga qytetarët që kandidati për President të jetë i lindur në Kosovë, nga të tjerët u vlerësua si diskriminues për diasporën. Vendi se ku do të duhej të betohet Presidenti u propozua të jetë Prekazi.

Sa i përket opcionit për zëvendëspresident u komentua që në rast të ekzistencës së këtij posti, të përcaktohen qartë edhe kompetencat përkatëse të tij apo saj.

Në hapje të debatit, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, vlerësoi se kjo formë e debatit është jashtëzakonisht e mirë, sepse u mundëson qytetarëve që drejtpërdrejt të bëjnë amendimin e Kushtetutës.

Driton Tafallari, përfaqësues i Demokracisë në Veprim, ftoi qytetarët që të japin propozime konkrete për Presidentin apo Presidenten e tyre të ardhshme, duke përmendur garancinë e marrë nga Komisioni Kushtetues, se propozimet e tyre do të merren parasysh në procesin përfundimtar të amendimit të Kushtetutës.