Lajme Shqip Tuesday, 11 October 2011 14:38

Prishtinë – Kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës duket se ka vendosur t’i rikthehet partisë dhe punëve të saj. Udhëheqja më e lartë e PDK-së është mbledhur, të martën, pas një kohe të gjatë. Ata kanë diskutuar për reformën zgjedhore në vend dhe për zhvillimet politike, kurse pas takimit, PDK ka lëshuar një kumtesë për media.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës gjatë mbledhjes së zhvilluar sot nën drejtimin e kryetarit dhe njëkohësisht kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, diskutoi për procesin e reformës zgjedhore, me theks të veçantë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët, si dhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor në funksion të krijimit të më shumë zonave zgjedhore.

Kryetari i PDK-së, Thaçi, bëri një ekspoze të gjendjes së përgjithshme në vend, duke u fokusuar në veriun e vendit.

Sipas komunikatës së dhënë pak më parë nga PDK-ja, kryetari Thaçi ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vazhdimin e fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore, heqjen e barrikadave, fillimin e procesit demokratik zgjedhor, investimet ekonomike dhe hapjen e perspektivës zhvillimore për qytetarët e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Në mbledhjen e Kryesisë temë bosht ishte edhe shënimi i përvjetorit të 12-të të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës me manifestime në Prishtinë dhe në qendra tjera të vendit.

Nënkryetari i kësaj partie, njëherit deputet i saj, që po përballet me dy aktakuza të ndryshme, Fatmir Limaj, e ka akuzuar ditë më parë publikisht kreun e kësaj partie, për mosaktivitet partiak qysh prej zgjedhjeve të fundit në Kosovë. (LajmeShqip.com)