Tiranë – Minatorët e Bulqizës i janë rikthyer këtë të martë përsëri protestave, bëri me dije, Luan Nika, kreu i përfaqësisë së minatorëve.
“Sot kemi bojkotuar punën për shkak se minatorët e kategorisë D, nuk kanë marrë pagën e 13-të si dhe 22 ditët e lejes, ashtu siç është vepruar me 620 minatorët e tjerë gjatë ditës së djeshme”, tha Nika.
Sipas tij “kjo situatë ka ardhur si rrjedhojë e përplasjeve mes firmës koncesionare Albanian Crom ACR dhe asaj nënkontraktore, pasi asnjëra nga palët nuk merr përgjegjësinë të paguaj rrogën e 13-të dhe 22 ditët e lejes, duke na shtyrë drejt rikthimit në protestë, e cila do të vijojë deri në momentin kur ne të marrim atë që ligjshmërisht na takon”, përfundoi kreu i përfaqësisë së minatorëve, duke bërë të ditur se protesta do të vijojë me bllokimin e hyrjes në galerinë “D”, të minierës.
Situata e krijuar sot në minierën e Bulqizës, vjen në më pak se dy javë nga rifillimi i punës, pas protestës tre mujore të minatorëve, e cila degradoi deri në grevë urie.
Tuesday, 11 October 2011 10:44