Pragë – Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga tha sot se, Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht në tërësinë e saj tokësore dhe se ndarja, shkëmbimi i territoreve, riaranzhimet e brendshme territoriale, ose Ahtisaari Plus janë të papranueshme.
Presidentja Jahjaga tha se Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari ofron vetëqeverisjen optimale për serbët në Kosovë, pa marrë parasysh se në cilën komunë të Kosovës jetojnë.
Këtë deklaratë, Jahjaga e bëri gjatë takimit në Pragë me ish-presidentin e Çekisë, Vaclav Havel, në kuadër të Konferencës “Demokracia dhe Sundimi i Ligjit” të organizuar nga Forumi 2000, që drejtohet nga Havel.
Ish-presidenti çek, Vaclav Havel e vlerësoi punën e presidentes Jahjaga në udhëheqjen e shtetit të Kosovës dhe tha se ka qenë dhe vazhdon të jetë përkrahës i proceseve integruese të Kosovës. Ai shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë dhe për rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Presidentja e Kosovës e falënderoi ish-presidentin çek, Havel për mbështetjen e tij dhënë Kosovës në të gjitha periudhat dhe tha se përkrahja e Çekisë për Kosovën ka një rëndësi të veçantë.
Presidentja Jahjaga tha se për Kosovën është e nevojshme vendosja e marrëdhënies kontraktuale me BE-në, që do të ndihmonte përshpejtimin e reformave të brendshme, zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe do të hapte perspektivën e qartë për vendin.
Monday, 10 October 2011 19:35