Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 17:24

Tiranë – Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij turk, Abdullah Gyl, theksuan vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh.

Kreu i shtetit, nisi sot vizitën zyrtare treditore në Turqi, ku u prit me një ceremoni solemne nga Presidenti i Turqisë, Abullah Gyl në Pallatin Presidencial. Gjatë kësaj ceremonie, u ekzekutuan himnet kombëtare dhe u paraqit forca nga truproja e nderit, për të bërë më pas edhe prezantimin e delegacioneve zyrtare respektive.

Në vijim, mes dy Presidentëve u zhvillua një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi mes delegacioneve respektive, bisedime të cilat u zhvilluan me kryesinë e Presidentit Topi dhe Presidentit turk, Gyl.

Gjatë bisedave u vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë, miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, kulturore midis dy popujve tanë.

Gjithashtu, u shpreh interesimi i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm reciprok në të gjitha aspektet, sidomos në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të dy shteteve dhe popujve tanë.

Presidenti Topi, i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar, zhvilloi homazhe në Mauzoleumin e Ataturkut, ku vendosi një kurorë në shenjë respekti dhe nënshkroi Librin e Nderit.