Shkup – Dega e PDSH-së e Shkupit, e udhëhequr nga Nënkryetari i partisë Valon Bela, kërkoi që lideri Menduh Thaçi të japë dorëheqje të parevokueshme.
Arsyeja për kërkesën e këtillë, siç njoftoi Bela sot në konferencën për shtyp, është ajo që kryetari i PDSH-së, siç tha ai, nuk e respekton mendimin e anëtarëve dhe të gjitha vendimet i miraton vetë.
Krahas kësaj, nga dega e PDSH-së e Shkupit, si arsye i theksoi edhe humbjet disa herë në zgjedhjet lokale, parlamentare dhe presidenciale, mungesën e demokracisë brendapartiake dhe injorimin e kërkesave për bashkim me partitë e tjera opozitare të shqiptarëve.
Ai paralajmëroi se prej sot dega e PDSH-së nga Shkupi i ngrin të gjitha aktivitetet partiake, derisa kryetari Menduh Thaçi nuk tërhiqet nga skena politike, ndërsa kryetarit të Kuvendit Qendror të partisë, Arben Xhaferit, i bëri thirrje të konvokojë seancë urgjente, me pikën e vetme në rend dite – kongresin e jashtëzakonshëm të partisë.
Bela konsideron se kjo parti, kuadrot i zgjedh vetëm sipas raportit të servilitetit ndaj liderit.
“Jemi të vetëdijshëm se të gjithë ata që në vazhdimësi kanë kërkuar demokratizim brendapartiak, nga ana e kryetarit janë konsideruar si tradhtarë dhe me heshtje janë dëbuar nga partia. Nëse i pyesni të gjithë ata të cilët në mënyrë janë trajtuar të këtillë, do të thonë se nuk kanë pasur problem me platformën, por me liderin dhe me qeverisjen e tij të centralizuar. Kjo duhet të ndalet dhe do të ndalet”, tha Bela.
Ai tha se këtë kërkesë për dorëheqje të Thaçit do ta mbështesin edhe degët e tjera partiake.
Monday, 10 October 2011 17:02