Prishtinë – Ndërmjetësi i BE-së për dialogun teknik Kosovë-Serbi, Robert Cooper pasdite pritet ta takojë kryeministrin Hashim Thaçi.
Cooper qëndron sot në Prishtinë, pas vizitës në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për vazhdimin e dialogut teknik.
Z/kryeministri Hajredin Kuqi ka konfirmuar se Cooper do të ketë takim sot pasdite me kryeministrin Hashim Thaçi dhe se do të bisedohet për tema që janë përcaktuar më herët në lidhje me raportet ndërshtëtore Kosovë-Serbi.
“Sot do të ketë takim me kryeministrin, pasdite. Natyrisht se ne kemi tema të përcaktuara me herët, për të cilat do të diskutohet. Kosova e ka vullnetin e vet që të marrë pjesë në dialog për raportet ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë drejtim Kosova do të kryejë obligimet e veta”, ka thënë Kuqi.
Zv/kryeministri kosovar ka mohuar informacionet se Cooper do të paraqes propozime për pikat kufitare në veri. Qeveria e Kosovës këmbëngulë se rregullimi i brendshëm iu takon vetëm institucioneve të Kosovës.
Gjatë vizitës në Beograd, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian nuk ka arritur të marrë pëlqimin e palës serbe për të vazhduar bisedimet në datën e lajmëruar më 18 tetor, rreth energjetikës, telekomunakiacionit dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.
Serbia këmbëngulë që të bisedohet edhe për çështjen e pikëkalimeve kufitare në Jarinjë e Bërrnjakë. Por, kjo kundërshtohet nga institicuonet e Kosovës.
Kuqi përsëriti se çështjet kushtetuese dhe ato të mandatuara nga Kuvendi i Kosovës nuk mund të diskutohen. (LajmeShqip.com)
Monday, 10 October 2011 15:01