Tiranë – “Gratë në Parlament” e Aristofanit, një komedi mbi transformimin njerëzor nga pushteti, është shfaqur premierë në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit.
Një kast aktorësh të rinj nën regjinë e Elma Dorezit, sollën për publikun historinë e Praksagorës, kryetares së re të zgjedhur në parlamentin grek, që bashkë me një grup grash të tjera vendos për të bindur burrat që të braktisin pushtetin e Athinës.
Aktorët Devis Muka, Roland Saro, Besmir Bitraku, Visjan Ukcenaj, Endri Çela ishin pesë djemtë që interpetuan rolet e femrave që morën pushtetin dhe me ligjet që krijuan sollën mjaft apsurditete dhe situata paradoksale. Në role të tjera gjithashtu interpetuan aktorët Klodian Hoxha, Genti Deçka, Alban Musa, etj.
“Gratë në Parlament” është një pjesë feministe, ku ngrihet figura e femrës dhe aftësitë e saj në përballjen me mashkullin. Një nga problematikat që duhet theksuar është rreziku që mbart në vete kur dikush arrin të ketë pushtetin në duar. Ngjarjet zhvillohen në qytet- shtetin e Athinës, ku kaosi ka kapur gjithçka sepse pushtetin e kanë burrat. Praksagora është nga gratë më inteligjente dhe më me autoritet në Athinë. Ajo në bazë të një strategjie shumë të detajuar arrin që të krijojë grupin e saj të femrave dhe nën maskimin që bëjnë sikur janë meshkuj ato shkojnë në parlament dhe hedhin platformën e tyre për të shpëtuar qytetin e Athinës, që ka të bëjë me faktin që pushteti t’u jepet grave.
“Gratë në Parlament” edhe pse është një komedi e 2400 viteve më parë ka një tekst që edhe sot tingëllon aktual dhe që na bën të mendojmë se vitet kalojnë, por sistemi mbetet njësoj, njerëzit ndryshojnë, por qëllimet dhe idetë mbeten të njëjta.
Regjisorja Dorezi e ka trajtuar shfaqjen si në teatrin e antikitetit, në kohën kur personazhet femra interpretoheshin nga meshkujt. “Ka ardhur një moment që edhe teatri shqiptar i të rinjve, me guximin, aftësinë dhe talentin e tyre janë të gatshëm të provojnë këtë element të vjetër të teatrit antik grek”, ka thënë Dorezi.
“Gratë në Parlament” e shkruar në vitin 392 para Krishtit nga Aristofani do të shfaqet për publikun çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të diel, ora 20:00 në Teatrin e Metropolit.
Monday, 10 October 2011 07:31