Lajme Shqip Sunday, 09 October 2011 12:52

Tiranë – Ish-presidenti i parë pluralist në vendin tonë, Ramiz Alia, është përcjellë sot për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij, siç ishte parashikuar në Protokollin e Shtetit, janë zhvilluar për rreh një orë, në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë.

Homazhet për nder të ish-presidentit Alia, kanë zhvilluar ish-kryeministri, Fatos Nano, kryetari i LSI-së Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ish-kryetari i Kuvendit, Sërvet Pëllumbi dhe historiani Pëllumb Xhufi.

Në një prononcim për mediat, ish-kryeministri Nano, vlerësoi kontributin e ish-presidentit Alia, në etapat e rëndësishme, deri në institucionalizimin e demokracisë.

“Besoj se është në respektin e një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj, të shprehet respekt për kontributet e personaliteteve të Luftës Antifashiste

Nacionalçlirimtare, si dhe të rindërtimit të vendit pas saj. Në rastin e presidentit Alia, dua të shprehë vlerësimin tim, për kontributet e tij në etapat e rëndësishme të historise kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit dhe demokracisë që gëzojmë sot”, deklaroi Nano.

Ndërsa, lideri i LSI-së, Ilir Meta, duke vlerësuar figurën e Alisë në luftën antifashiste, tha se historianët do vlerësojnë figurën e tij, jo politikanët.

“Nderimin më të mirë e bën historia. Në këtë drejtim, dua të vlerësoj figurën e Alisë si një figurë e shquar e Luftës Antifashiste dhe për përpjekjet e tij, për të mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit, është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik në demokraci, që jep dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet me fitoren e demokratëve më 22 mars, të vitit 1992”, u shpreh Meta.

Edhe ish-kryeparlamentari Pëllumbi, u shpreh për mediat se, Ramiz Alia është presidenti i parë i periudhës demokratike dhe i fundit, i periudhës komuniste, duke theksuar se “vetë kjo, flet për karakterin kontradiktor të vetë figurës së Alisë”.

Udhëheqësi i dytë dhe i fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, u nda nga jeta mëngjesin e së premtes, në moshën 86-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje në mushkëri.

I lindur më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe i diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Ramiz Alia ishte një prej figurave më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i dytë dhe i fundit komunist në Shqipëri, gjatë viteve 1985-1992.

Ramiz Alia dha dorëheqjen nga posti i presidentit të Shqipërisë, në prill të vitit 1992, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992, zgjedhje të cilat u fituan nga Partia Demokratike.