Shkodër – Ish-godina e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, aty ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur, torturuar, madje deri edhe në vdekje, figura të njohura intelektuale të Shkodrës e më gjërë, shumë shpejt pritet të vihet në dispozicion të vizitorëve.
Me një fond prej 53 milion lekësh të akorduara nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkia e Shkodrës, projekti i firmës “Euro Projekt” me qëndër në Tiranë, po zbatohet nga firma shkodrane “BM Construksion”, e cila po punon për adoptimin e godinës në një objekt muzeal.
Burime nga zyra e urbanistikës në bashkinë e Shkodrës që po ndjek nga afër punimet, bëjnë të ditur se objekti është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të dorëzohet për t’u vënë në shërbim të vizitorëve. Nga sa bëhet e ditur, projekti përmban ndërhyrje në mjediset e jashtme të godinës, e cila më para se të merrej në shfrytëzim nga Ministria e Brendshme ne kohen e diktatures komuniste ka qënë pronë e Kishës Françeskane.
Në pjesën e jashtme, tërheq vemendjen një tip galerie prej betoni me gjatësi rreth 50 metra e gjatë, e cila përmes disa zigzakeve të dërgon në pjesën e burgut. Në pjesen e brendshme janë të vendosura rreth 40 biruca të përmasave shumë të vogla, të cilat shërbenin për izolimin e të burgosurve, së bashku me oborrin e ajrimit dhe anekse të tjera të përfshira në projektin e këtij muzeu. Në këto biruca, krahas të tjerëve, janë torturuar edhe klerikët, At Zef Pllumbi, Imzot Ernesto Çoba, At Bernardin Palaj, përfaqësues të tjerë të klerit mysliman e atij ortodoks, intelektualë të spikatur nga Shkodra e më gjërë.
Ndërtimi i këtij muzeu u bë i mundur me kërkesën e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë të Shkodrës, një pjesë e të cilëve kanë vuajtur në birucat e këtij burgu. Kreu i ish-të përndjekurve politikë të Shkodrës, Zenel Drangu, thotë ky muze është një dëshmi e asaj që ka vuajtur shtresa e tyre nga regjimi komunist, pasi Shkodra numëron 601 të pushkatuar nga regjimi komunist, 136 të vdekur ndër burgje, 2846 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë.
Ndaj për këtë në emër të bashkëvuajtësve të tij, ai falenderon strukturat shtetërore që mbështetën financiarisht kërkesen e tyre për ta shndërruar këtë vend në muze të diktaturës. Sipas tij, kjo është vetem një pjesë e asaj që regjimi i atëhershëm ka ushtruar ndaj popullit shkodran e në veçanti ndaj intelektualëve, si dhe përfaqësuesve të klerit, pasi në Shkodër ka pasur edhe 13 burgje të tjerë, birucat e të cilëve kanë qënë të mbushur me njerëz që nuk pajtoheshin me regjimin diktatorial.
Sunday, 09 October 2011 08:01