Nga Gjekë Marinaj. Këtë intervistë me ish-presidentin e Shqipërisë z.Ramiz Alia e kam bërë vite më parë. Shumë prej pyetjeve të bëra nuk u është përgjigjur. Megjithatë i jam mirënjohës që në një moshë të thyer e mori mundimin t’u përgjigjej disa prej tyre.
E vërteta është se e kam pas urryer me të gjithë pasionin e shpirtit sistemin e tij komunist. Per rrjedhim edhe atë që doli në krye të atij sistemi pasi vdiq Enver Hoxha. Të gjitha hallet e jetës më dukej se i kishin rrënjët në grushtet e shtrënguaraforttësistemit të tij. Sot, njëzet vjet më vonë, edukimi shkollor më ka ndihmuar të shikoj përtej vuajtjeve të mia personale, përtej këndvështrimit të ngushë të gjykimit të çështjeve të mëdha.
Ramiz Alia e ka jetuar jetën demokratike të këtyre dy dekadave të fundit krejtësisht i lirë, midis bashkëqytetarëve të tij, në Tiranë. Pa truproje personale, pa mbrojtjen e gardës ushtarake apo policore të shtetit, pa frikën e dikurshme ndaj popullit, të cilën e pranon vetë në këtë interviste. Kjo do të thotë se populli ka ditur ti dalloje drejt kontrastet dhe dritehijet e figures së tij.
Nderkaq, kjo nuk do të thotë se populli i ka harruar fajet e Ramiz Alisë, por do të thotë se njerezit ia kanë falë ato, ia kanë falë të gjitha fajet, tamam siç ia kam falë edhe unë. Ndaj përfitoj nga rasti që nëpërmes gazetës “Shekulli” t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve të z. Ramiz Alia. Pushoftë në paqe Shpirti i tij!
Gjekë Marinaj*
Dallas,USA
Mora pyetjet tuaja për intervistën. Bashkëngjitur po ju dërgoj përgjigjet e mija, të cilat besoj se do t’i botoni pas vdekjes time pa qenë nevoja për ndonjë ndryshim.
Ju falemnderit për pyetjet e sinqerta. Ju uroj shëndet e suksese si juve, ashtu edhe gruas suaj, Dusita.
Ju përshëndes miqësisht,
Ramiz Alia
INTERVISTË / Dhënë z.Gjekë Marinaj
Marinaj: Sikur të ngjallej vetëm për një orë Enver Hoxha dhe të kërkonte ta kalonte atë i vetëm me ju, ç’mendoni se do ju pyeste e si do i përgjigjeshe?
Alia: Thënë ndryshe, ju kërkoni të dini mendimin tim për atë periudhë historike që lidhet me tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist. Përmbysja që ndodhi nuk ishte një fenomen i izoluar që preku vetëm Shqipërinë. Ai e përfshiu vendin tonë pasi ra Muri i Berlinit dhe socializmi u përmbys në të gjithë Lindjen evropiane, duke përfshirë edhe
Bashkimin Sovjetik. Ai kryesisht u nxit dhe u inkurajua nga jashtë, nga Perëndimi.
Padyshim për brezin tonë, që gjithë jetën ia kushtuam ndërtimit të Shqipërisë së re dhe krijimit të një shoqërie ku të sundonin barazia e drejtësia shoqërore, përmbysja që ndodhi shënon një humbje të dhimbshme. Në këtë rezultat, përveç faktorit të jashtëm, kanë ndikuar edhe dobësitë e kufizimet e vetë sistemit që ekzistonte, si dhe gabimet që janë bërë, të cilat krijuan edhe atë terren që favorizoi diversionin nga jashtë.
Marinaj: Në prag të 90-ës, ju propozuat idenë e një pluralizmi të mendimit. Në mos e keni shtrydhur brenda vetes këtë ide që para plenumit IV? Ishte një ide e lindur nga frika e ndonjë kryengritjeje popullore apo vërtet donit pluralizëm?
Alia: Jo, nuk është e saktë. Ideja e pluralizmit të mendimit lindi në fund të viteve 80-të. Atëherë vendi kalonte disa vështirësi, sidomos në fushën ekonomike. Kapërcimi i tyre kërkonte edhe një mendim të ri ekonomik të përparuar, duke hequr dorë nga disa receta të mëparshme.
Që të bëhej kjo gjë ishte e domosdoshme që njerëzit të shfaqnin mendimet e tyre pa pasur frikë se mund të akuzoheshin si shkelës të vijës së përcaktuar më parë apo të unitetit të partisë. Nga pluralizmi i mendimit do të kalohej më lehtë edhe në pluralizmin politik. Kishim frikë nga populli më pyet… Do të gënjeja sikur ta mohoja këtë fakt.
Marinaj: Dita e 2 korrikut të vitit 1990 qe bërë e njohur në historinë e re të Shqipërisë për dy arsye: njëra ishte hapja e ambasadave në Tiranë, kurse arsyeja tjetër ishte që po atë ditë serbët shpërndanë parlamentin e qeverisë shqiptare në Kosovë. Ishte kjo një rastësi apo një plan i dikujt?
Alia: E kam thënë edhe herë të tjera se ngjarja e ambasadave është nxitur nga të huajt. Për të krijuar probleme në Shqipëri ishin të interesuar perëndimorët të cilët prisnin që edhe Shqipëria të ndiqte shëmbullin e vendeve të tjera të Evropës Lindore, pra të largohej nga pozitat e socializmit. Por për destabilizimin e saj ishin të interesuar së tepërmi edhe serbët, që në ato kohë gjendeshin në vështirësi të mëdha në Kosovë. Në historinë e Shqipërisë ka pasur mjaft “koincidenca” të tilla. Në fakt sa herë që në Kosovë kishte lëvizje të shqiptarëve dhe sa herë serbët janë gjendur përpara problemesh serioze atje, aq herë janë bërë presione të ndryshme ndaj Shqipërisë. Qëllimi i këtyre presioneve ka qenë, nga njëra anë, të neutralizohej Shqipëria, pra që ajo, e zënë me “telashet” e veta, të mos e mbështeste luftën e vëllezërve kosovarë dhe, nga ana tjetër, kosovarët të shkurajoheshin në përpjekjet për të drejtat kombëtare e qytetare.
Mund të thuhet se edhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë, kurdoherë, janë kushtëzuar nga problemi i Kosovës. Shtetet Perëndimore kanë pasur interesa të mëdha në Jugosllavi. Sidomos pas shkëputjes së saj nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1948, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara që Jugosllavia të ishte një vend i stabilizuar nga çdo pikëpamje. Çdo lëvizje që destabilizonte Federatën Jugosllave nuk përkrahej nga askush në Perëndim. Pikërisht për këtë arsye të gjithë ishin kundër zgjidhjes së problemit të Kosovës, ashtu siç vepronin aktivisht që Shqipëria të vihej në situata që të mos mund të ndihmonte me të gjithë mundësitë e veta çështjen kosovare.
Tani jetojmë në një kohë tjetër. Përmbysja e socializmit në Evropën Lindore dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e Jugosllavisë kanë sjellë ndryshime edhe në strategjinë politike të Fuqive të Mëdha. Tani problemi i Kosovës dhe i Shqipërisë shihen me një sy tjetër. Ato nuk trajtohen më nga këndvështrimi i sigurimit të Federatës së dikurshme Jugosllave, por trajtohen si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, për sigurimin e paqes e të zhvillimit demokratik të të gjithë rajonit ballkanik. Nga disa prej Fuqive të Mëdha, në radhë të parë nga SHBA, ka një mirëkuptim për problemin e Kosovës, për zgjidhjen e drejtë të tij, pa përjashtuar edhe realizimin e pavarësisë së saj.
Marinaj: Ju e kthyet Ramiz Alinë në një urë të maskuar; këmbët zhytur thellë në mes të komunizmit dhe kokën e mbështetur në cepin fillestar të demokracisë. E gjithë Shqipëria e përdori atë “urë”. Por kur kaluan në anën e dëshiruar, ata më të fuqishmit, të flakën në burg. Pra në ato burgje ku ju dhe qeveria juaj patët dënuar një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Nuk ju pushkatuan, ndonëse qeveria që drejtonit ju kishe vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm. Çfarë shënimesh ka mbajtur shpirti juaj që nga ato ditë burgimi…?
Alia: Është e njohur që veprimtaria ime politike lidhet me socializmin. Kemi dënuar ata që me të drejte a pa të drejtë i quanim armiq te pushtetit dhe popullit. Ky nuk ka qenë mëkati ynë më i madh.(Vijon)
