Lajme Shqip Saturday, 08 October 2011 14:03

Tiranë- Pas përfundimit të afatit për largimin e automjeteve të dala jashtë përdorimit nga anët e rrugëve nacionale, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave do të nisë procedurat për ato subjekte që nuk kanë zbatuar detyrat e lëna nga Inspektoriati i Mjedisit, tha kryeinspektori Ilir Bala.

Sipas aktit normativ, afati përfundimtar për largimin e makinave të dala jashtë përdorimit, apo varrezave të makinave, ishte data 7 tetor.

Bala bëri me dije se nga një inspektim i inspektorëve mjedisorë rezultoi se 80 % e poseduesve të këtyre varrezave kanë zhvendosur pjesët motorrike në një distancë 1 km larg rrugës ose në magazina.

Akti Normativ përcakton se këto biznese nuk do të mbyllen, por duhet të funksionojnë me lejet përkatëse dhe të paktën 1 km larg rrugëve kombëtare.

Sipas aktit të paraqitur nga Ministria e Mjedisit, zhvendosja e këtyre pikave duhet të bëhet nga vetë privatët, në rastet kur palët nuk bien dakord, është menduar ndërhyrja me mjetet e ushtrisë.

Në të gjithë vendin funksionojnë rreth 290 vendgrumbullime të mjeteve, 63 prej të cilave vetëm në Tiranë.