Tiranë – Aktori i teatrit dhe i filmit, Reshat Arbana, është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Artisti me më shumë se 35 role që prej vitit 1963, u dekorua me motivacionin “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare”.
Në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Topi vlerësoi punën dhe kontributin e dhënë nga Reshat Arbana në fushën e teatrit dhe të kinematografisë.
Reshat Arbana ka lindur në 15 shtator 1940 në Tiranë. Pasi kreu studimet në shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Kombëtar në Tirane, më 1968 filloi punë në Radio Tirana. Nga viti 1977 e deri sa doli në pension ishte aktor i Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Ndër rolet më të spikatura përmenden Samiu tek “Fijet që priten” 1976, Prefekti tek “Gjeneral gramafoni” 1978, Bimbashi tek “Liri a vdekje” 1979, Isa Boletini tek “Nëntori i dytë” 1982, Ahmeti tek “Dora e ngrohtë” 1983, Adnani tek “Hije që mbeten pas” 1985, etj.
Arbana ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën “Streha e të harruarve”, ndërsa para dy vitesh publiku e duartrokiti në shfaqjen “Fërshëllimë në errësirë” të Spiro Dunit.
Saturday, 08 October 2011 11:41